80 vjeçarja i jep leksion futbolli trajnerit Ferguson

Një plakë 80 vjeçare është heroina e Mançester Junajtid në ndeshjen kundër Çelsit, pasi pikërisht kërkesat e saj bënë të mundur që “djajtë e kuq” të ishin konkurrues përballë londinezëve. Tifozja 80 vjeçare nga Roshdeil, me emrin Margaret, bëri sugjerimet e saj taktike gjatë një emisioni televiziv në televizionin e klubit, MUTV, duke kritikuar ashpër formacionin “pa krahë” që luajti në mesjavë kundër Bragës. Ajo e cilësoi “idiote” mesfushën në formë diamanti që i pëlqen aq shumë trajnerit Ferguson dhe shtoi se mund të pësonte një atak kardiak nëse Mançester Junajtid do të vazhdonte të fillonte çdo ndeshje në disavantazh golash. Duket se këto sugjerime janë dëgjuar nga trajneri Ferguson, i cili e zhduku formacionin me mesfushën në formë diamanti, ndërsa dëgjoi plotësisht sugjerimet e kësaj plake tifoze. “Të lutem, mos luaj me mesfushën diamant kundër Çelsit”, ishte apeli publik i zonjës Margaret. “Nëse doni, flas unë me trajnerin. Unë kam parë çdo lojtar të mirë që ka patur ndonjëherë ky klub në vitet e fundit. Dhe ata nuk ishin aq idiotë sa të pësonin gola që në fillimin e ndeshjes”. “A e keni vënë re se të gjithë golat që pësojmë në fillimin ndeshjes vijnë kur luajmë me formacionin në formë diamanti? Duhet të kthehemi të luajmë normalisht më pas që të kapim kundërshtarët. Nuk është argëtuese kur je 80 vjeç që të shohësh kundërshtarët të të shënojnë gola. Do të më shkaktojë infarkt, pasi jam 80 vjeçe. Besoj se ju nuk e doni një gjë të tillë”, ishte apeli publik i kësaj zonje të moshuar që ka lënë pa fjalë ish-futbollistin Kuinton Fortun, që ishte i ftuar në studio. Para ndeshjes me Çelsin, edhe Ferguson e pranoi se do të ndiqte sugjerimet e kësaj plake të moshuar. “Bëj mirë të mos e mërzit më shumë. A e dëgjuat atë në MUTV? Ajo është 80 vjeç, telefonoi dhe tha se ishte mërzitur duke parë formacionin diamant. Ajo tha që trajneri nuk duhet të përdorë këtë formacion, ndaj më mirë të mos e përdor”, ishin fjalët e Ferguson, i cili tashmë do të kërkojë numrin e saj për ta falënderuar pas fitores kundër Çelsit.