Digjen veturat e Qeverisë së Kosovës

(E plotësuar) Sipas Policisë së Kosovës, njëra veturë e djegur është e tipit “Kia” dhe tjetra “Nisan”, që të dyja pronë e qeverisë, me targa 3Z. Vetura “Nisan” e djegur në lagjen “Bregu i Diellit”, ishte e një zyrtari të lartë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përderisa ajo “Kia”, e djegur në lagjen “Dardania”, ka qenë pronë e Ministrisë së Infrastrukturës. Policia e Kosovës ka konfiskuar të dy automjetet dhe është duke bërë ekzaminimin e tyre. Deri me tani, sipas policisë, ende nuk është arritur të kuptohet shkaktari i zjarrit. “Jemi duke punuar rreth zbulimit të rasteve që të kuptojmë a kanë qenë zjarrvënie e qëllimshme apo aksidentale, mirëpo deri me tani nuk kemi arritur te kuptojmë shkaktarin”, ka thënë për Indeksonline një zyrtar policor. ------ Mbrëmë pas orës 23:00, dy vetura të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë djegur nga persona të panjohur. Burimet e Indeksonline bëjnë të ditur se njëra veturë është djegur në lagjen “Bregu i Diellit” e tjetra në “Dardani” të Prishtinës. Rastet i ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, mirëpo nuk ka dhënë më shumë detaje./V.K/Indeksonline/